Pak dritë në fund të tunelit për Grezdën, një largim i hap rrugë te Rejnxhërs

Eros Grezda mund të ketë të ardhme te Rejnxhërs, edhe pse për momentin duket pak e mundur pasi kontaktet e tij me stafin e ekipit të parë janë minimale. Grezda është stërvitur këtë periudhë me skuadrën e rezervave dhe të rinjve, duke mos marrë pjesë as në fazën përgatitore që zhvilloi skuadra në Portugali, në pritje të një sistemimi të ri.

Por transferimi i Daniel Kandeias te Gençlerbirligi në kampionatin turk është shumë pranë finalizimit dhe tashmë Xherard i duhet të gjejë një tjetër futbollist për krahun e djathtë. Ai ka konfirmuar për mediat skoceze se po hedh sytë drejt ndonjë përforcimi të mundshëm, por edhe se kishte alternativa për këtë pozicion.

Sipas “Scottish SUN”, një prej tyre është edhe Eros Grezda, i cili do të kalonte të luante djathtas nëse Xherard dp të vendoste ta kishte si opsion për këtë edicion. Futbollisti shqiptar vazhdon të jetë përsëri jashtë listës së Europës për Rejnxhërs e shumëkush e sheh të mbyllur karrierën e tij te gjigandët skocezë. Por gjithsesi, fjalët e Xherard japin shpresë dhe tashmë është në dorën e futbollistit t’i vërtetojë ish-yllit anglez se e meriton një tjetër mundësi. /vipsport.al/