Olaitan përgënjeshtron Luftëtarin, vazhdon “telenovela” e ish-sulmuesit të Olimpiakos

Duhet të ishte një nga goditjet më të mëdha të merkatos së verës në Superiore, por deri tani ka rezultuar një “vrimë në ujë”, për të mos thënë një mashtrim. Majkëll Olaitan as nuk ka ndër mend të bëhet pjesë e Luftëtarit dhe duket e çuditshme se si klubi e zyrtarizoi afrimin e tij në rrjetet sociale pak ditë më parë.

Klubi qipriot i Agia Napa dy javë më parë njoftoi se sulmuesi kishte nënshkruar me ta. Gjithçka ndodhi pak ditë para se klubi gjirokastrit nëpërmjet adresave që administron vetë në rrjetet sociale, ta bënte zyrtar afrimin e ish-sulmuesit të Olimpiakos e Tuente në radhët e tij. Të gjithë menduan se ishte fillimi i rindërtimit të Luftëtarit, por situata nuk është ashtu siç duket.

Sipas mediave greke, lojtari ka përgënjeshtruar gjithçka, duke thënë se nuk ka nënshkruar me asnjë skuadër tjetër dhe ka bërë të qartë se dëshiron të vazhdojë karrierën e tij te Apollo Pontus, klub ku kishte qenë së fundmi e me të cilin dëshironte të luante në kategorinë e dytë greke.

Të Luftëtari tani duhet të rifillojnë kërkimin për një lojtar cilësor për sulmin dhe këtë herë të sigurohen mirë që ajo “po” që mund t’u ketë thënë, është reale. /vipsport.al/