Nuk rinovoi në Francë, Baloteli pranë rikthimit në Premier Ligën angleze

Mario Baloteli mbetet një nga personazhet më të komentuar dhe pasi i ka përfunduar kontrata në Francë me Olimpik Marsejën, po kërkon për një tjetër aventurë. Sulmuesi italian duket se nuk ka në plan të qëndrojë më në Francë dhe ka nisur duke kërkuar një aventurë të re.

Nga Premier Liga, kanë ardhur ofertat e para karshi Balotelit dhe duket se Uest Hem ka interes për të. “Daily Mirror” raporton se klubi anglez i ka bërë me dije Balotelit se ka interes për shërbimet e tij dhe nëse ky i fundit pranon, atëherë mund të bashkohet me Uest Hemin këtë merkato.

Kujtojmë që në të kaluarën, Baloteli ka qenë edhe pjesë e Mançester Sitit dhe Liverpulit, ndërkohë që në Francë provoi aventura te Nisa dhe Olimpiku i Marsejës. /Erjon Allaraj-VipSport.al/