Një telash për Realin, nga shitja e Bejl mund të fitojë vetëm 5,7 milionë euro

Real Madrid shpreson që shumë shpejt të mbyllë gjithçka për transferimin e Garet Bejl në kampionatin kinez të futbollit,  pasi futbollistit i kanë mbërritur oferta të shumta nga Azia. Ndërsa klubet e Europës po tërhiqen duke mos preferuar uellsianin, aziatikët janë gati ta mbulojnë me dhjetëra miliona euro në vit dhe futbollisti duket se do të provojë të paktën një gjysmë sezoni atje.

Por nëse Bejl do të fitojë miliona me një nga kontratat më të mëdha në histori, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Real Madrid, i cili ka një problem serioz sa i përket shitjes së futbollistit. Në fakt, nëse e dërgon në Kinë, ai mund të përfitojë vetëm 5,7 milionë euro nga transferimi i tij.

Sipas rregulloreve të reja në Kinë, nëse një klub kalon pagesën që korrespondon me 5,7 milionë euro, atëherë çdo klubr duhet ta ripaguajë si gjobë në shtet për zhvillimin e futbollit në vend të njëjtën shifër. Me pak fjalë, nëse Jiangsu Suning që është më afër lojtarit për momentin, do të paguajë 50 milionë euro për të, do të paguajë edhe 50 milionë euro të tjera në arkat e shtetit.

Për të evituar një gjë të tillë, Real Madrid dhe klubet me të cilat është në negociata bashkë me përfaqësuesit e Bejl, po mendojnë mënyra të tjera alternative pagese, nëpërmjet bonuseve të shtrira në kohë falë arritjes së objektivave apo numrit të ndeshjeve që do të aktivizohet. Problemi për Realin është se ka kohë deri më 31 korrik për të mbyllur gjithçka, pasi atëherë mbyllet edhe merkato në Kinë. /vipsport.al/