Një “Shpresa” në Superiore, në Ballsh gjejnë vend lojtarët me perspektivë!

Bylisi është në kulmin e fazës përgatitore, pjesën e parë të së cilës është duke e zhvilluar në kushtet e shtëpisë. Ballshiotët kanë pasur shumë lëvizje në muajin e fundit, mes largimeve dhe afrimeve, ndërsa po të shoshësh bilancin më shumë ka pasur lojtarë të larguar.

Nga sezoni i shkuar, lojtarët të cilëve u përfundoi kontrata si: Kullira, Shyti, Zefi, Kofi, Bytyçi apo dhe Lamçja që kishte edhe një vit kontratë ndërprenë bashkëpunimin me ballshiotët.

Deri më tani janë afruar Edison Ndreca dhe Eridon Qardaku, por edhe Donald Mëllugja, ashtu sikurse janë në proces testimi Ergys Peposhi, Ilias Kasapi si dhe Dhamo. Por, është rikthyer dhe ka rinovuar Ardit Peposhi ashtu si dhe Beji Antoni një muaj më parë apo Saliu Guindo.

Bylisi ka afruar disa lojtarë të talentuar, e madje të njëjtën politikë po e ndjek edhe tashmë në prag të sezonit të ri në Superior. Por, ajo që bie në sy është se në radhët e Bylisit janë pesë futbollistë, të cilët Partizani i ka pasur titullarë, madje te të rinjtë, dhe kanë shkëlqyer. Por, që janë larguar nga të kuqtë në periudha të ndryshme dhe po shkëlqejnë te Bylisi.

Stivian Janku, mbrojtësi që sapo ka mbushur 22-vjeç është një futbollist me të dhëna mjaft të mira, pa harruar edhe Elis Doksanin, i cili dy vjet më parë ka qenë pjesë e Partizanit B dhe skuadrës U-19.

Edhe Valentino Murataj, kapiteni i Bylisit ka qenë pjesë e skuadrës së kuqe, ashtu si edhe Ardit Jaupaj, apo Marjo Barjamaj që verën e shkuar doli nga moshat e të kuqve, dhe pasi kishte luajtur me skuadrën B e pa veten në Ballsh, aty ku bëri një sezon mjaft të mirë.

E.S./Vipsport.al/