Një duel shumë i çuditshëm, Partizani-Karabak për libër rekordesh “Guinness”

Ndeshja e djeshme mes Partizanit dhe Karabak në Ligën e Kampioneve ka qenë ndoshta një nga më të rrallat që është luajtur ndonjëherë në stadiumin “Selman Stërmasi” e ndoshta në Shqipëri. Një sfidë e cila dhuroi shumë luftë por edhe emocione, me traversa të goditura nga të dy skuadrat, por edhe një statistikë shumë të rrallë që është regjistruar gjatë saj.

Ndoshta të mbërthyer nga emocionet e sfidës, tifozët nuk e kanë kuptuar se kanë ndjekur një nga ndeshjet me më pak faulle të regjistruar gjatë 90 minutave në histori, e denjë për të hyrë në rekordet e librit “Guinness”. Të dy skuadrat në total gjatë të gjithë ndeshjes, sipas statistikave zyrtare të UEFA-s, kanë regjistruar vetëm 6 faulle.

Duket e pabesueshme por është e vërtetë, UEFA ka regjistruar vetëm 6 ndërhyrje të parregullta në 90 minuta lojë! Këto faulle ndahen në 5 të shkaktuar nga Partizani dhe 1 nga Karabak, ndërsa ndalesat e tjera të lojës kanë qenë vetëm për pozicione jashtë loje, rivënie anësore, rivënie fundore apo goditje këndi.

Si për çudi, edhe kartoni i vetëm i verdhë i ndeshjes, ai që mori Çinari, nuk ka ardhur nga një faull i mirëfilltë, por sepse pengoi ekzekutimin e një prej të paktave goditje dënimi të skuadrës azere. Ju kujtohet të  keni parë ndonjëherë një tjetër ndeshje të tillë? /vipsport.al/