Një bullgar që i sjell fat Valdet Ramës, Kukësin e drejton një emër i njohur

Ndeshja mes Kukësit dhe Debrecenit në Ligën e Europës, do të ketë si gjyqtar emrin më të vjetër në detyrë në Bullgari mes “bilbilave” ndërkombëtarë, Stanislav Todorov. 42-vjeçari, ndërkombëtar që nga viti 2006, është caktuar nga UEFA që të drejtojë sfidën delikate në “Elbasan Arena”, ku verilindorët do të synojnë të përmbysin duelin e sfidës së parë.

Në fakt, Todorov është një emër i njohur për ta, pasi ka drejtuar Kukësin disa vite më parë, në verën e vitit 2013, kur skuadra e drejtuar asokohe nga Armando Cungu bënte historinë duke arritur deri në play-off. Ai drejtoi verilindorët në ndeshjen e luajtur në Tiranë ndaj Trabzonspor, e mbyllur me suksesin 2-0 të ekipit turk, ku një gol u shënua me penallti. Besar Musolli është i vetmi i “mbijetuar” nga ajo sfidë e 6 viteve më parë në radhët e Kukësit.

Njëkohësisht, gjyqtari bullgar ka edhe eksperienca të tjera me futbollin shqiptar, duke filluar nga një fitore e U17 të Bjellorusisë ndaj asaj shqiptare me shifrat 7-0, për të vazhduar me pranin e tij në Tiranë për një ndeshje miqësore mes Shqipërisë A dhe Armenisë në vitin 2014. Ndeshja u mbyll me rezultatin 2-0 dhe autor i një prej atyre golave me fanellën kuqezi ishte Valdet Rama.

Asistentët e tij në këtë ndeshje janë Georgi Dojnov dhe Aleksandar Atanasov, me Dragomior Draganov si gjyqtar të katërt. /vipsport.al/