Nejmar has vështirësi për t’u kthyer te Barcelona, i vetëofrohet Realit, Juventus dhe Bajern

Nejmar kërkon me çdo kusht të rikthehet te Barcelona. Braziliani e ka thënë këtë me zë të lartë dhe ky është një fakt i pandryshueshëm. Megjithatë, sulmuesi e ka kuptuar vështirësinë e një operacioni të tillë. Katalanasit sapo shpenzuan 120 milionë euro për Grizman dhe nuk kanë luksin e një tjetër shpenzimi marramendës, aq më tepër duke ditur rregullat e Fair Play-it financiar nga UEFA. Një tjetër problem është se në Katalonjë, jo të gjithë janë ‘fansa’ të Nejmar.

Kjo për arsyen se si lojtari u largua nga blaugranët. Ndërkohë, nga ana tjetër Parisi nuk pranon të bëjë lëshime, ndërsa refuzon ofertat e Barcelonës për ta shkëmbyer me Kutinjo, Dembele dhe 40 milionë euro. Në këtë mënyrë, sipas mediave spanjolle, Nejmar ka informuar agjentin e tij për t’iu vetëofruar klubeve më të mëdha europiane, pasi me parisienët bashkëjetesa edhe për një tjetër sezon duket e vështirë.

Kështu, 27-vjeçari i ka lënë rrugë të lirë bisedimeve me Realin Madridit, Juventus, Bajernit dhe Junajtid. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet deri në fundin e merkatos, pasi këto skuadra janë alternativë e dytë për Nejmar, i cili mendjen e ka te Barcelona.

/Egi Çabeli-VipSport.al/