Në momentin më të mirë në kampionat, për Baren vjen lajmi i hidhur nga Federata Spanjolle

Keidi Bare mbylli një sezon mjaft të mirë në aspektin personal te Malaga, duke qenë se ishte ndër më të dalluarit dhe ndër futbollistët me më shumë minuta në këmbë. Skuadra e tij, luftoi deri në fund për të siguruar një biletë për në La Liga, megjithatë nuk arriti ta merrte nga “Play Off” duke qëndruar edhe për një sezon në Ligën e Dytë.

Ky dështim, ka sjellë edhe të tjera pasoja për Malagan duke qenë se tashmë e sheh veten në nevojë të madhe për të ardhura. Malagas i duhen të paktën 20 milionë euro transferime, për të shpëtuar sezonin dhe për të shlyer borxhet. Në këtë mënyrë, presidentit të Malagës i duhet të shesë futbollistët më të mirë dhe të arrijë në vlerën 20 milionë euro para se të nisë kampionati, ultimatum ky i bërë nga Federata Spanjolle e futbollit.

Aktualisht, Malaga dhe Las Palmasi janë dy skuadrat e vetme në Segunda që nuk kanë kryer asnjë transferim në këtë merkato dhe praktikisht, duket e pamundur për Malagën që të arrijë të blejë ndonjë futbollist këtë sezon. Klubi i Malagës ka marrë një licencë të përkohshme që i siguron qëndrimin në Segund, por në rast se dështojnë në shlyerjen e borxhit, atëherë licenca bëhet e pavlefshme dhe Malaga e sheh veten në kategori më poshtë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/