Muriqi tregon ambiciet me klubin e ri: Dua të shpallemi kampionë

E ardhmja e sulmuesit Vedat Muriqi u kthye në një telenovelë gjatë kësaj merkatoje verore. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, në sezonin e kaluar shfaqi një rendiment të lartë, teksa shënoi 18 gola në kampionatin turk me fanellën e Rizesporit. Në këtë formë, bomberi fitoi shumë admirues që kërkonin shërbimet e tij.

Megjithatë, dëshira e vetë Muriqit ishte të qëndronte në Turqi, si një vend që tashmë ishte përshtatur. Në garë ishin kampionët e Gallatasarajit dhe Fenerbahçe. Në fund, 25-vjeçari zgjodhi Fenerbahçen, si skuadra që ngulmoi më së shumti për të. Kështu, Muriqi ka nisur aventurën me skuadrën e re, teksa ka firmosur një kontratë katërvjeçare.

Në një intervistë së fundmi, ku skuadra turke prezantoi uniformat e reja, sulmuesi tregon ambiciet për sezonin, ku objektiv është fitimi i titullit kampion. “ Jam shumë i lumtur të jem këtu. Kam ardhur në një komunitet të madh. Më pëlqen emri i futbollistëve në fanellat e reja. Dhe shpresoj të fitojmë kampionatin, sepse e meritojmë”, tha Muriqi.

/Egi Çabeli-VipSport.al/