Muça: Për përmbysje duhet Tirana, Partizani nuk është projektuar për Champions

Shkëlqim Muça mendon se skuadrat shqiptare nuk kanë shanse që të kalojnë turin në Kupat e Europës. Në “Rubrika Sportive” ai ka argumentuar se si Partizani, ashtu edhe Teuta, Kukësi e Laçi nuk kanë mundësi për të kaluar në turin tjetër, pasi rezultatet e ndeshjeve të para lënë pak shteg për diskutim.

“Partizani ka para 90 minuta shumë të gjata, por në futboll ka gjithmonë surpriza. Unë që kam marrë pjesë në Champions, kemi shkuar në ndeshje si ajo me Tiranën me Ferencvarosh ku këtu u mundëm, e atje bëmë 1-0 dhe kemi humbur rast në minutë të fundit e mund të kualifikoheshim.

Partizani tregoi se është skuadër e disiplinuar taktikisht, atë që ka bëër këtu ka për të bërë edhe atje, do mbrohet e natyrisht futbolli është ndonjëherë paparashikueshëm. Duhet të jesh në formë të mirë e të kesh fat, por e thashë që nuk mund t’ia heq shpresën se mund të kalojë, në futboll ndodh çdo gjë. Por Karabak ishte ekip i mirë, në 30 metrat e fundit ishte shumë cilësor, edhe ata që u futën ishin cilësore në kombinime edhe pse Partizani i mbylli hapësirat.

Të tjerat në Europë duhet të përmbysin, për këtë është Tirana se ajo ka përmbysur dy herë 3-0. Edhe me Dinamon një herë iu afruam përmbysjes ndaj një ekipi finlandez, goditëm edhe shtyllën në fund.  Në futboll ndodh gjithçka, Kukësi duhej ta kishte ndërtuar lojën pak më mirë, se ka dy ndeshje, jo një, të mendonte se ka edhe një ndeshje tjetër në Shqipëri. Them se nuk kalojnë, se janë ekipe shumë të forta përballë.

Partizani në Europa League? Sherif nuk është në gjendje shumë të mirë. Ky Partizan vazhdon rrugën, ecën drejt, nuk është ende i projektuar për Champions, duhet shans te shorti. Por është në rrugë të drejtë me këto 800-900 mijë euro që nuk janë pak, edhe të eliminohesh merr kaq e nuk janë pak për të ndërtuar ekip”, tha Muça. /vipsport.al/