Milani fshin nga memoria mesfushorin Veretu, kuqezinjtë në ndjekje të një argjentinasi

Drejtuesit e Milanit janë vënë në kërkim të një mesfushori, duke parë se Kesi do të largohet ndërsa Bilja dhe Çalhanollu nuk japin garanci. I përzgjedhuri i kuqezinjve ishte lojtari i Fiorentinës Veretu, mirëpo francezi është një hap larg zyrtarizimit te Roma.

Kështu, ‘Djalli’ ka hedhur vështrimin nga një talent argjentinas. Është fjala pë mesfushorin Matias Zarako, i cili aktivizohet në vendlindje me skuadrën e Racing. 21-vjeçari fitoi edhe ftesën e trajnerit të Kombëtares Skaloni në muajin mars, ndërsa arriti edhe të debutonte. Mesfushori shihet si një lojtar me të ardhme, teksa duket se është gati për transferimin në Europë.

Ndërkohë, për të përfituar shërbimet e Zarako, Milani duhet të derdhë në arkën e Racing shumën prej 20 milionë euro. Mirëpo, kuqezinjtë duhet të lëvizin shpejt për të mos u befasuar sërish si në rastin e Veretu, pasi për argjentinasin interesohet edhe Porto me Atletiko Madrid.

/Egi Çabeli-VipSport.al/