Mici i bindur për fitore: Në Luksemburg për përmbysje, në turin e tretë shkon Shkëndija

Shkëndija e Tetovës ka një ndeshje delikate ndaj Dudelanzhit në Luksemburg, aty ku duhet të fitojë dhe të përmbysë rezultatin 1-2 të pësuar pak ditë më parë në Shkup. Kuqezinjtë nga Tetova, kanë treguar se dinë të përmbysin dhe të enjten, duhet ta vërtetojnë edhe njëherë në ndeshjen, ndoshta më të rëndësishme të sezonit.

I bindur për përmbysje është edhe mbrojtësi Gledi Mici, i cili në një prononcim për sajtin e klubit, u shpreh se në Luksemburg po shkojnë vetëm për përmbysje. Ai shtoi se nëse të gjithë futbollistët japin më shumë se 100%, kualifikimi është një mision mëse i mundshëm.

“Jemi këtu në Luksemburg për të synuar të përmbysim rezultatin e ndeshjes së parë dhe të kualifikohemi në xhiron e tretë të Europa League. Kemi dy ditë për akomodim, besojmë se jemi të aftë të përmbysim rezultatin dhe jam i sigurt se secili lojtar që do të jetë në fushë do të japë më të mirën nga vetja për të realizuar atë që kërkon nga ne stafi teknik”, u shpreh Mici. /Erjon Allaraj-VipSport.al/