Memushaj nuk lëviz, as ish-portieri i Teutës. Peskara i bën dalje kapitenit të përfaqësueses Shpresa

Ledjan Memushaj nuk lëviz nga Peskara dhe do të qëndrojë pjesë e saj deri në vitin 2022. Këto janë lajmet më të fundit që vijën nga Italia, ku mesfushori i përfaqësuese shqiptare ka nisur përgatitjet për sezonin e ri me klubin e Serisë B.

Gjatë javëve të fundit ishte përfolur për interesimin e Salernitanës në adresë të Memushajt, me Venturën e gatshëm që ta bënte atë regjisorin e skuadrës së tij. Por drejtori sportiv, Xhiorxhio Repeto, ka përgënjeshtruar gjithçka, “Nuk na rezulton të jetë një gjë e mundshme” tha ai për mediat italiane. Edhe menaxheri i Memushajt, Mario Xhiufredi, këtë herë ka qëndruar i qetë dhe ka konfirmuar se mesfushori nuk do të ndryshojë destinacion këtë verë, pasi ndjehet mirë në radhët e këtij klubi.

Pjesë e skuadrës së Peskarës për këtë vit do të vazhdojë të jetë Elhan Kastrati, portieri i cili për dy sezone veshi fanellën e Teutës. Ndërkohë, nuk ka vend për Leonardo Malokun, një prej tre kapitenëve të përfaqësueses Shpresa. Ai nuk bën pjesë në listën e të grumbulluarve për fazën përgatitore, por është urdhëruar të qëndrojë të stërvitet në klub derisa të gjejë një sistemim të ri. /vipsport.al/