Më në fund një skuadër që e vlerëson, Liridon Latifi titullar në Champions

Liridon Latifi vendosi në këtë sezon të transferohej te skuadra kampione e Moldavisë, Sherif Tiraspoli. Sulmuesi vendosi pas dy sezonesh të largohej nga Hungaria, ku aktivizohej me ekipin e Akademi Pushkash, kjo edhe për shkak të minutave të limituara në dispozicion.

Megjithatë, tashmë Latifi është fokusuar te aventura e re, të cilën duket se e ka nisur me këmbën e mbarë. Para pak ditësh, 25-vjeçari ishte protagonist në miqësoren e Sherif Tiraspolit ku arriti të gjente tre herë rrugën e rrjetës. Ndërkohë, në ditën e sotme, ekipi moldav do të luajë në turin e parë të Ligës së Kampionëve, teksa do të presë në shtëpi skuadrën e Saburtalo Tbilisi.

Në këtë sfidë, në 11-tëshen titullare është rezervuar një vend edhe për Liridon Latifin. Kështu, ish-futbollisti i Skënderbeut është në rrugën e duhur, teksa kërkon të rikthehet në nivelet kur përfaqësonte korçarët.

/Egi Çabeli-VipSport.al/