Më i urryeri nga shqiptarët, Federata Gjermane e shpall “Gjyqtari i Vitit”

Nëse tifozëve të përfaqësueses shqiptare do t’i kujtoni emrin Deniz Ajtekin, askush prej tyre nuk do bëjë një koment të mirë për 41-vjeçarin gjerman. Nuk mund të ishte ndryshe, pasi Ajtekin është protagonist një prej ndeshjeve më të diskutueshme të përfaqësueses shqiptare, atë mes Shqipërisë dhe Izraelit që përfundoi me shifrat 0-3 për miqtë në “Elbasan Arena”.

Karton i kuq për Gjimshitin e Berishën, dy penallti kundër dhe vendime të terja të diskutueshme e bënë atë një nga emrat më të urryer të tifozerisë shqiptare e cila e ktheu në “:armik” edhe në rrjetet sociale. Pak muaj më vonë, Ajtekin do të dhuronte një tjetër “perle” në karrierën e tij, duke drejtuar përmbysjen 6-1 të Barcelonës ndaj PSG me një sërë vendimesh të dyshimta, gjë që i solli përjashtimin nga arena ndërkombëtare për disa muaj gjermanit.

Duket se Ajtekin e ka kaluar atë periudhë të errët të karrierës së tij dhe tani i është kthyer normalitetit, aq sa Federata Gjermane, pak ditë më parë e ka vlerësuar atë si “Gjyqtarin e Vitit” për sezonin 2018-2019 në futbollin gjerman. E megjithatë, Ajtekin është treguar i sinqertë në intervistën më të fundit që ka dhënë duke komentuar këtë çmim që ka marrë në moshën 41-vjeçare. “Në karrierën time kurrë nuk kam drejtuar një ndeshje në mënyrë perfekte” ishin fjalët e tij për “Bild”. Nëse sheh ndeshjet e Shqipërisë dhe Barcelonës, nuk ke se si të mos i japësh të drejtë. /vipsport.al/