Luftëtari në kaos, jep dorëheqjen edhe presidenti

Luftëtari duket se ka hyrë në një tunel, fundi i të cilit nuk po gjendet. Pasi u largua pjesa më e madhe e futbollistëve si edhe e trajnerit, tashmë nga Luftëtar ka ardhur një tjetër largim i befasishëm që ka tronditur jo pak themelet e klubit. Nëpërmjet një letre të hapur, presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo ka dhënë dorëheqjen dhe nuk do të jetë më pjesë e klubit gjirokastrit.

Tavo shprehet se vështirësitë ekonomike dhe mungesa e financimit nga aksionerët e tjerë të cilët po i qëndrojnë indiferent kësaj situate. Ai ka shtuar se largohet për t’i hapur rrugë aksionerëve të rinj, duke premtuar se do të jetë tifozi numër një i klubit.

“Të nderuar miq,

Ndiej detyrimin të komunikoj me të gjithë ju që doni me shpirt dhe zemër Luftëtarin për të sqaruar situatën e vështirë ku gjendet ekipi ynë i zemrës. Në katër vitet që kam drejtuar Luftëtarin, jam krenar që kemi arritur suksese që edhe vetë nuk i prisja. Kur fillimisht nisa të investoj për këtë skuadër, mendoja thjesht që të ktheja Luftëtarin aty ku i takonte, në elitën e futbollit shqiptar. E realizuam  këtë që në vitin e parë pas shumë sakrificash e vuajtjesh, dhe arritëm të festonim atë sukses. Në tre vitet tona në Superligë, siguruam  pjesëmarrjen historike në Kupat e Europës, por mbi të gjitha bëmë që gjithë Shqipëria të fliste me superlativa për Luftëtarin dhe futbollin e tij.

Miq, sinqerisht që sporti dhe veçanërisht futbolli në kohët që jetojmë kërkojne shumë sakrifica, mundim e investime. Në këto katër vite edhe pse kemi një shoqëri aksionere, me disa ortakë, Luftëtari është mbështetur dhe financuar vetëm nga Grigor Tavo. Nuk mund të harroj në këtë rrugëtim edhe Bashkinë e Gjirokastrës, e cila deri tani ka përmbushur çdo obligim të sajin dhe ka plotësuar më së miri detyrimet dhe investimin që i takon si aksioner tek K.F Luftëtari.

I gjendur në një situate ku të gjithë aksionerët nuk e mbështesin Luftëtarin as në kuotat që u takon si një shoqëri aksionere, e kam të pamundur të vijoj drejtimin e skuadrës dhe shoqërise në tërësi. Është një vendim tepër i dhimbshëm për mua dhe jo vetëm. Do të largohem nga presidenca e Luftëtarit për t’i hapur rrugë investitorëve të rinj, që ndoshta mund të bëjnë më shumë për këtë skuadër dhe këto ngjyra që  secili prej nesh i ka në zemër.

Dua që në këtë moment të falënderoj të gjithë bashkëpunëtoret e mi, miqtë që më kanë mbështetur dhe veçanërisht tifozerinë e mrekullueshme gjirokastrite, e cila na ka qëndruar pranë në çdo hap.

Dorëheqja ime, kurrsesi nuk mund të shihet si një braktisje, por vjen për të hapur rrugën e investimeve në skuadër për të mundësuar një ecuri sa më të mirë, pasi Luftëtari është më i rëndësishëm se çdo president apo drejtues.

Dua ta mbyll këtë komunikim me premtimin që gjithmonë do të jem tifozi numër një i Luftëtarit.

Sinqerisht, Grigor Tavo”, shkruhej në letër. /Erjon Allaraj-VipSport.al/