Luftëtari del blof në deklarata, njofton për bisedime me trajnerin që u zyrtarizua te skuadra e re

Luftëtari po kalon një situatë mjaft të çuditshme duke qenë se në fund të sezoni përjashtoi trajnerin dhe disa futbollistë, ndërkohë që me kalimin e javëve u larguan edhe shumë futbollistë të tjerë, të cilët një sezon më parë kishin shkruar histori. Në Gjirokastër, janë të bindur se kanë nisur nga puna për një projekt të madh por duket se gjithçka është vetëm një legjendë që po mbetet në letër.

Ditën e sotme, klubi gjirokastrit ka dalë në një komunikatë për shtyp n llogarinë e saj në “Instagram” duke njoftuar se ka mbyllur akordin me Majkëll Olaitan dhe se është në bisedime me trajnerin Milinkoviç. Në fakt, duket se e çuditshme pasi duket se Olaitan nuk ka në plan të vijë në Shqipëri pasi pak javë më parë është prezantuar në Qipro, ndërkohë që Milinkoviç u prezantua ditën e djeshme në Suedi.

“Klubi i Futbollit Luftëtari njofton se data 15 korrik do të jetë dita e grumbullimit të skuadrës dhe më pas startimi i fazës përgatitore për sezonin 2019-2020.

Merkatoja e ekipit është në proces zhvillimi, ku deri tani ju bëjmë me dije se është arritur akordi me futbollistin e huaj, Majkëll Olaitan dhe zyrtarizimi i tij do të bëhet në ditët në vijim. Luftëtari është në bisedime edhe me disa lojtarë, të cilët do të bëhen me dije nga klubi në ditët në vijim dhe për t’ju bashkuar më pas me pjesën tjetër të skuadrës.

TRAJNERI- Klubi është ende në bisedime me disa trajnerë, ku midis tyre është edhe serbi Mladen Milinkoviç, i cili drejtoi ekipin tonë në sezonin 2016-2017.

Në ditët në vazhdim Klubi i futbollit Luftëtari do të bëje me dije trajnerin e ri dhe prurjet e reja që do të afrohen”, shkruhej në komunikatën e klubit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/