Lufta kundër dopingut/ Operacioni blic i policës italiane dhe greke, më shumë se 230 persona të arrestuar

Lufta kundër dopingut është një nga më të mëdhatë në botën e sportit. Shpeshherë rezultatet e arritura nga sportistë dhe atletë, janë ndryshuar pas testeve antidoping. Megjithatë, së fundmi një operacion i zgjeruar është bërë për të ndaluar dhe për të ulur numrin e përdoruesve të substancave të ndaluara në botën e sportit.

Në këtë operacion të zgjeruar ishte përfshirë edhe vetë Agjencia Botërore Anti-Doping. Një operacion i cili udhëhiqej nga policia italiane dhe ajo greke.  Autoritetet europiane të sigurisë në 33 vende kanë kundërshtuar tregtinë e steroidëve dhe ilaçeve të falsifikuara.  Më shumë se 230 të dyshuar u arrestuan, 9 laboratorë droge u zbuluan dhe u konfiskua një sasi e madhe e dopingut. Shefi i Antidopingut gjerman u shpreh se është i gatshëm të vazhdojë të tilla ndërhyrje, pasi kjo cilësohet si një luftë e përbashkët kundër mashtrimit në sportin e kontinentit. Sipas raportit të Europolit, rreth 3.8 milionë produkte doping dhe ilaçe të falsifikuara u konfiskuan.

U shkatërruan 17 banda të organizuara. Fokusi ishte shkatërrimi i laboratorëve nëntokësorë. Në këtë mënyrë, përdorimi i substancave të palejuara në sport ka marrë një goditje të rëndë, ndërsa paralajmërohet se të tilla veprime do të vazhdojnë për të pastruar sportin.

/Egi Çabeli-VipSport.al/