LISTA E SHORTIT / Partizani, Shkëndija e Feronikeli mësojnë të hënën rivalin e mundshëm në turin e tretë

Partizani, Shkëndija e Tetovës dhe Feronikeli nuk ia kanë dalë që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre ne Ligën e Kampioneve dhe tashmë vera e këtyre tre skuadrave do të vazhdojë në Ligën e Europës. Pas rezultateve të sotme, të tre skuadrat dinë se cilët do të jenë rivalët e tyre në turin e dytë të aktivitetit, ndërsa të hënën do të mësojnë edhe emrat e ekipeve që do të kenë përballë në turin e tretë të turneut, nëse arrijnë të kalojnë.

Meqë janë pjesë e Rrugëtimit të kampionëve, skuadrave që vijnë nga Liga e Kampioneve, ata do të ndeshen vetëm me ekipe që bëjnë të njëjtën rrugë. Kështu, në shortin që do të hidhet të hënën në Nion, të gjitha skuadrat e turit të dytë të Ligës së Europës do të vihen në vazon e skuadrave jofavorite, ndërsa në vazon e ekipeve të forta do të vihen çiftet e turit të dytë të Ligës së Kampioneve, pasi humbëset e tyre do të jenë ata që do të kalojnë në Europë.

Me pak fat për skuadrat shqiptare nga goglat, shorti mund të vendosë përballë ekipe të kalueshme, si Valeta, Dundalk, HJK, Sutjeska apo edhe Nome Kalju e TNS, ndonëse këta të fundit eliminuan përkatësisht Shkëndijën e Feronikelin, por pa i dominuar me lojë. Të gjitha këto ekipe përballen me skuadra të forta në turin e dytë të Ligës së Kampioneve dhe kanë mundësi të mëdha t’i japin lamtumirën turneut për të vazhduar në Ligën e Europës. /vipsport.al/