Liga e Europës/ Ka gjykuar Arsenalin në goleadë, Shkëndija njihet me gjyqtarët

Shkëndija e Tetovës dështoi në Ligën e Kampionëve, duke u eliminuar në shtëpi nga Nome Kalju. Skuadra shqiptare do të luajë në Ligën e Europës dhe përballë do të ketë skuadrën e Dudelanzhit, skuadër kjo që sezonin e shkuar arriti deri në fazën në grupe aty ku luajti edhe ndaj Milanit.

Ditën e sotme, Shkëndija e Tetovës ka njohur edhe katërshen e gjyqtarëve të cilët do të ndajnë drejtësinë në takimin ndaj Dudelanzhit. Ndeshja që luhet në Shkup, i është besuar norvegjezit Tore Hansen, i cili në të kaluarën e ka gjykuar Dudelanzhin ndaj Milsamit, aty ku luksemburgasit u mundën 1-0.

Hansen ka gjykuar edhe Arsenalin në një miqësore, të fituar nga londinezët me rezultatin 8-0 ndaj Vikingut. Sakaq, ai ka qenë edhe gjyqtar i katërt në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, të luajtur në vitin 2017 në “Loro Boriçi”, aty ku Italia fitonte 0-1. Hanseni do të ndihmohet nga Haglund dhe Lundberg, ndërkohë që gjyqtar i katërt do të jetë Tom Harald Hagen. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

Shkëndija-Dudelanzh

Gjyqtar: Tore Hansen

Asistentë: Kim Thomas Haglund, Magnus Lundberg

Gjyqtar i katërt: Tom Harald Hagen

Vëzhgues: Marian Ruzhbarski

Delegat: Steven Stride