Lerda: Nuk kemi ardhur për turizëm, jemi gati edhe për penalltitë

Trajneri i Partizanit, Franko Lerda, në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes ndaj Karabak, ka deklaruar se skuadra e tij ishte gati për çdo eventualitet. Para gazetarëve ai ka shpjeguar se kjo ishte arsyeja se pse skuadra ishte përgatitur për çdo eventualitet të mundshëm, edhe për penalltitë.

“Penalltitë i mendoj si të shkojë progresi i lojës. Nëse rezultati do të jetë 0-0 përsëri, atëherë duhet të jesh gati për penalltitë. Ne nuk kemi ardhur në Baku për turizëm. Nesër do të bëjmë më të mirën. Ndeshja e parë ka kaluar dhe nesër do të japim gjithçka, maksimumin tonë”, shpjegoi trajneri.

“Optimizëm? Nuk e them me siguri se do të fitojmë nesër. Buxheti i Karabakut është shumë herë më i madh se i yni, ne e respektojmë shumë kundërshtarin. Por të shohim se si do të rrjedhin gjërat nesër.

Ndeshja e parë vetëm sa konfirmoi atë që dija për Karabak. Kjo është një skuadër e fortë. Ata kanë lojtarë që janë të mirë në lojën një kundër një. Unë e pashe këtë edhe në ndeshjen e tyre ndaj skuadrës së Romës”, deklaroi trajneri italian i Partizanit. /vipsport.al/