Leonardo përgatit edhe largimin e Mbape: Nuk premtoj dot që rinovon

Nuk është vetëm Nejmar ai që mund të largohet nga PSG. Një tjetër emër që shqetëson shumë parisienët është Kilian Mbape. Lojtari ka vendosur që të qëndrojë edhe një tjetër vit në radhët e këtij klubi por të ardhmen me sa duket e sheh larg tij, sidomos duke pasur parasysh se e kërkojnë praktikisht klubet më të mëdha europiane që janë gati të bëjnë çmenduri për firmën e tij.

I ndërgjegjshëm për këtë është edhe Leonardo, i cili në rolin e drejtorit sportiv të parisienëve, është detyruar të pohojë se nuk ka fuqi mbi sulmuesin e talentuar.

“Mbape është shumë i rëndësishëm për klubin, nuk ka debat në këtë pikë. Sa erdhi në stërvitje, ishte me një sjellje të shkëlqyer, me buzëqeshje, si gjithmonë, ai është karizmatik, njerëzit e duan shumë. Është e rëndësishme të kesh në ekip një lojtar si ai, të ri dhe të qeshur.

Rinovimi i tij? Nuk bëj kurrë premtime. Për dy arsye! E para se nuk jam unë ai që bën gjithçka në këtë klub. E dyta, nuk dua të bëj një premtim në ajër pa qenë i sigurt se mund të mbështet fjalët e mia”, tha Leondardo për “Le Parisiene”.

“Kilian është special, është 20 vjeç dhe gjendet në majtë të botës. Të jesh Kilian Mbape është përgjegjësi në vetvete. Është e vështirë, por Kilian ia del të menaxhojë gjithçka. Bëri kampionat të shkëlqyer me Monako, erdhi dhe e bëri përsëri këtu, pastaj shkoi në Botëror dhe e fitoi. Ai është lojtar që mund të luajë në çdo rol në fushë. Ka shumë cilësi, është i shpejtë, i gjallë, teknik, i zhdërvjellët, ka gjuajtje të mirë, është inteligjent, ka pozicionim të shkëlqyer në fushë, di si të krijojë hapësira. Me pak fjalë ka gjithçka”, ishte lëvdata e Leonardos për sulmuesin. /vipsport.al/