Leonardo nuk dorëzohet, kërkon edhe te PSG-ja dëshirën e madhe që kishte te Milani

PSG-ja ka qenë këtë merkato mjaft e heshtur, duke arritur akordin me vetëm dy futbollistë jo të shtrenjtë e megjithatë, në zyrat e klubit lakohen disa emra. Aktualisht, merkatoja e PSG-së është pezull duke qenë se Nejmar ende nuk ka vendosur asgjë në lidhje me të ardhmen e tij dhe të gjithë zërat, e çojnë në Spanjë te Barcelona.

Sakaq, dëshira e PSG-së dhe sidomos e Leonardos, mbetet mesfushori serb Milinkoviç-Saviç i cili është shumë pranë largimit nga Lacio, pasi drejtuesit kanë nisur të mendojnë për pasuesin. Drejtori sportiv, Leonardo, e kërkonte me ngulm edhe në kohën kur ishte te Milani, por financat e klubit kuqezi nuk ia lejonin një afrim të tillë.

Edhe te PSG-ja, do ta ketë të vështirë jo pak, pasi presidenti Lotito kërkon 100 milionë euro për shërbimet e tij. Kjo shifër e kërkuar nga Lotito, mund të bëjë që PSG-të dorëzohet në luftën për shërbimet e tij duke qenë se po përballet edhe me hetimin e UEFA-s. /Erjon Allaraj-VipSport.al/