Leonardo insiston: Asgjë nuk ka ndryshuar, mungojnë ofertat dhe Nejmar mbetet i PSG-së

Merkatoja e verës nisi me lajmet në lidhje me largimin e Nejmar nga PSG dhe se po e kërkonte Barcelona. Mesa duket, kjo telenovelë do të vazhdojë deri në përfundim të merkatos pasi në drejtim të klubit parisien, po mungojnë ofertat për brazilianin, ose të paktën kështu pretendojnë drejtuesit e klubit francez.

Drejtori sportiv, Leonardo ka folur sërish për “Le Parisien” duke insistuar se për futbollistin nuk ka asnjë ofertë konkrete. Ai shtoi se braziliani mbetet një futbollist i PSG-së dhe se i tillë do të jetë.

“Që nga koha e fundit kur kam folur, asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me Nejmar. Asgjë e re për të. Këtu nuk ka ndryshuar asgjë dhe nuk ka asnjë ofertë konkrete për të, prandaj mund të them se është me ne dhe është lojtar i PSG-së. E përsëris, siç thashë edhe 10 ditë më parë, në drejtim të Nejmarit nuk ka asnjë ofertë”, u shpreh Leonardo. /Erjon Allaraj-VipSport.al/