Nejmar nuk paraqitet në grumbullim, PSG: Do marrim masa ndaj tij

Askush nuk fshihet më! Nejmar ka vendosur që të bojkotojë stërvitjen e klubit të PSG derisa të mbyllet përfundimisht çështja e transferimit te Barcelona. Lojtari nuk është paraqitur sot në grumbullim duke acaruar klubin francez i cili ka bërë të ditur se nuk do ta tolerojë një sjellje të tillë dhe se do të marrë masa ndëshkimore ndaj tij.

Klubi doli sot pasdite me një komunikatë për shtyp ku paralajmëronte lojtarin se do ta paguante për këtë sjellje. “Këtë të hënë më 8 korrik, Nejmar Da Silva Santos ishte i grumbulluar për të rifilluar aktivitetet e grupit profesionist të Paris Sent Zhërmen.

PSG ka konstatuar se futbollisti Nejmar nuk është prezantuar në orarin dhe vendin e caktuar, kjo pa qenë i autorizuar apo me paralajmërim nga klubi.

PSG ndjen keqardhje për këtë veprim dhe do të marrë masat përkatëse që janë pasojë e tij”, shkruhej në njoftimin e klubit.

Braziliani shpreson që në këtë mënyrë të binde klubin e PSG që ta lërë të largohet drejt Barcelonës, pasi u ka thënë prej kohësh drejtuesve francezë se është penduar që u largua nga katalanasit dy vite më parë. /vipsport.al/