Lacio plotëson organikën me një tjetër shqiptar, transferon talentin nga Levante

Me drejtorin sportiv Igli Tare në krye, Lacio është kthyer në një koloni të vogël shqiptarësh. Pjesë e klubit bardhekaltër kanë qenë shumë shqiptar, ndërsa së fundmi veç ekipit të parë, është rritur numri edhe në skuadrën e të rinjve të kryeqytetit.

Vetëm pak ditë më parë, drejt Lacios u transferua Anxhelo Ndrecka. 17-vjeçari, në sezonin e kaluar ishte pjesë e të rinjve të Kievos, megjithatë arriti të debutonte edhe në Serinë A, teksa u shndërruar në futbollistin më të ri shqiptar, i cili ka debutuar në elitën e futbollit italian. Ndërkohë, një tjetër shqiptar, po 17-vjeçar do t’i bashkohet Primaverës së Lacios.

Bëhet fjalë për futbollistin Florent Shehu, i cili luan si sulmues krahu. Shehu është bërë pjesë e bardhekaltërve nga dita e djeshme, teksa u transferua nga skuadra e Levantes. Kështu, Ndrecka dhe Shehu do t’i bashkohen shqiptarëve të tjerë të Primaverës si Serxho Kalaj apo Marko Aliaj. Në këtë formë, e ardhmja e klubit të Lacios është e lidhur ngushtë me shqiptarët.

/Egi Çabeli-VipSport.al/