Konte sfidën të kaluarën: Me Juventusin miqësore e rëndësishme, në merkato vendosim për të mirën e Interit

Me skuadrat që kanë nisur përgatitjet para startit të sezonit, kanë nisur edhe miqësoret për të rifituar ritmin. Një miqësore, e cila ndoshta asnjëherë nuk do të mbetet thjesht një miqësore është ajo mes Interit dhe Juventusit. Dy rivalët italianë, do të përballen ditën e nesërme në Kinë, ndërsa kjo do të jetë edhe konfrontimi i parë i teknikut, Antonio Konte me të kaluarën e tij si bardhezi.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, ish-trajneri i Çelsit e ka shmangur këtë pjesë teksa e ka cilësuar sfidën si një miqësore të rëndësishme, ndërsa u shpreh se duhet kohë për ta kthyer Interin në nivelin e kompeticioneve ku garon. “ Kundër Juventusit do të jetë një miqësore e rëndësishme, është një moment ku të dyja ekipet janë në përgatitje. Si ne, ashtu edhe ata do të kërkojnë të luajnë një ndeshje të mirë, përtej rezultatit. Juventusi ka lojtarë të fortë, përveç Ronaldos, i cili është një nga më të fortët në botë.

Mbrojtësit duhet të jenë të përqendrua, e gjithë skuadra duhet të punojë mirë. Për sa i përket merkatos, mendoj se do të merren vendime për të mirën e Interit, duke vendosur në llogari shumë gjëra, jo vetëm fushën. Duhet kohë për të krijuar një bazë solide dhe për ta ngritur Interin në nivelin e kompeticioneve që garon”, tha Konte.

/Egi Çabeli-VipSport.al/