Konte kritika për kroatin: Nuk mund ta bëj rolin që unë i kërkoj

Antonio Konte ka shijuar ditën e sotme disfatën e parë nën drejtimin e skuadrës zikaltër. Interi i tij u mposht me rezultatin minimal 0-1 në miqësore ndaj Mançester Junajtid. Ndërkohë, tekniku 49-vjeçar njihet për karakterin e tij dhe për deklaratat e drejtpërdrejta.

Konte ka mbetur i pakënaqur këtë herë nga skuadra, ndërsa ka sqaruar se Ivan Perisiç nuk mund ta bëj atë rol që i kërkohet. Sipas Kontes, në këto momente kroati mund të luajë vetëm si sulmues dhe jo si anësor. “ Po punojmë për Perisiç, por përgjigjet nuk janë pozitive. Nuk besoj se është i duhuri për të bërë rolin që unë i kërkoj.

Kështu, vendi i vetëm në fushë ku mund të luaj për momentin, është ai i sulmuesit”, tha Konte. Ndoshta, ky është edhe një sinjal për drejtuesit e klubit, teksa trajneri ka nevojë për një lojtar të aftë të mbulojë të gjithë krahun e majtë dhe të ndihmojë skuadrën në të dyja fazat e lojës. Ndërkohë, pas këtyre fjalëve është vënë në dyshim edhe e ardhmja e Perisiç te Interi, pasi kroati vështirë se mund të pranojë të luajë rolin e rezervistit.

/Egi Çabeli-VipSport.al/