Klubet shqiptare në arenën europiane, në fushë Kukësi, Teuta dhe Laçi

Ditën e djeshme ishte skuadra e Partizanit që hapi sfidat europiane për klubet shqiptare. Të kuqtë morën një barazim me vlera (0-0), përballë Karabakut në turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve, ndërsa sot stafeta do t’i kalojë Kukësit, Teutës dhe Laçit, të cilat marrin pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Europës.

Kështu, nënkampionët e Shqipërisë, Kukësi do ta nisë kompeticionin me rivalë të sikletshëm si Debreceni. Verilindorëve iu takon ta luajnë ndeshjen e parë në transfertë hungareze, me takimin që do të nisë në orën 19:00. Debreceni ka më shumë eksperiencë se Kukësi, megjithatë skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka, do të luajë shanset e saj, teksa në rast kualifikimi në turin e dytë e pret një ndeshje luksi përballë italianëve të Torinos.

Ndërkaq, në krahun tjetër edhe Teuta do të luajë në transfertë ndeshjen e parë. Përballë durrsakëve do të jetë skuadra letoneze e Ventspils. Një rezultat pozitiv në transfertë, mund t’ia lehtësonte punën durrsakëve për ndeshjen e kthimit.

Ndërkohë, skuadra e Laçit, ndryshe nga dy klubet e tjera, takimin e parë do ta luajë në shtëpi. Kurbinasit do të mundohen të shfrytëzojnë aspektin e fushës dhe mbështetjen e tifozerisë, edhe pse përballë është një kundërshtar i fortë dhe me më shumë eksperiencë si izraelitët e Hapoel Ber Sheva.
Ndërkohë, po në ditën e sotme do të zbresë në fushë edhe Shkupi, të cilët do të përballen në transfertën armene, me ekipin vendas, Pjunik Jerevan.

/Egi Çabeli-VipSport.al/