Kastrioti zyrtarizon përforcimin e parë, krutanët transferojnë një mesfushor

Klubi i Kastriotit nuk ia doli këtë sezon të qëndronte në Kategorinë Superiore. Krutanët, pavarësisht përpjekjeve të shumta gjatë fazës së dytë të kampionatit, nuk ia dolën në fund të fitonin duelin me Tiranën.

Në këtë mënyrë, Kastrioti iu dorëzua rregullores dhe tashmë në sezonin e ardhshëm do të jetë pjesëmarrëse në Kategorinë e Parë. Megjithatë, sërish objektivi i krutanëve do të jetë rikthimi në elitën e futbollit shqiptar dhe drejtuesit po punojnë në merkato për të pasur një ekip konkurrues. Kështu, ditën e sotme klubi i Kastriotit ka zyrtarizuar afrimin e parë në skuadër.

Bëhet fjalë për mesfushorin Xhulio Mehmeti. 25-vjeçari, ishte pjesë e Kamzës prej disa sezonesh, ndërsa ka eksperiencë edhe në Superiore por edhe në Kategorinë e Parë, teksa pritet t’i japë një dorë skuadrës për ta ndihmuar në një ringritje të shpejtë.

/Egi Çabeli-VipSport.al/