Kastrioti vazhdon përgatitjet me sytë nga FSHF, organizon dy ndeshje miqësore në dy ditë

Kastrioti ka nisur përgatitjet intensive për sezonin e ardhshëm ku shpreson që të rikthehet sa më shpejtë në Kategorinë Superiore. Në klubin krutan, janë me shpresa se mund të ngjiten në Superiore që këtë sezon, në rast se Skënderbeu dhe Luftëtari përjashtohen, ashtu siç është përfolur kohët e fundit dhe ka qenë vetë klubi krutan, ai që e ka bërë një kërkesë të tillë për t’u ngjitur.

Sakaq, kjo situatë nuk e ka penguar aspak të vazhdojë përgatitjet dhe në plan janë edhe dy ndeshje miqësore. Ditën e nesërme, Kastrioti do të përballet me skuadrën e Turbinës, ndërkohë që të martën do të luajë përballë Vushtrrisë së Kosovës.

Dy ndeshjet do të luhen në orën 17:30 në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamëz, ndërkohë që stërvitja e Kastriotit bëhet në Krujë. Ekipi që këtë sezon e mbylli në vendin e parafundit në Superiore, drejtohet nga Ramadan Ndreu pasi ky i fundit i mori vendin Bledar Devollit që u largua me rënien nga Kategoria. /Erjon Allaraj-VipSport.al/