Kaljari huazon mbrojtësin e Shqipërisë U19, do të luajë në Serinë D

Një tjetër futbollist i ri shqiptar lë akademitë italiane për të fituar eksperiencë në futbollin e të rriturve, edhe pse do të duhet që ta bëjë nga kategoritë e ulëta. Mbrojtësi Klajdi Pici, i cili ka luajtur si me U17, ashtu edhe me U19 të Shqipërisë, është huazuar nga Kaljari për të luajtur në radhët e Sanremeze, klub i Serisë D italiane.

Pici, i cili aktivizohet si mbrojtës i djathtë apo edhe si mesfushor me tipare mbrojtëse ka spikatur me ekipet e të rinjve dhe te Kaljari e kanë parë të arsyeshme që atij t’i jepet mundësia që të luajë e të përgatitet më mirë për përballjen me më të rritur. Ndaj është arritur akordi për huazimin e tij njëvjeçar te kjo skuadër ku pritet që të ketë më shumë hapësira aktivizimi.

Mbrojtësi prej dy vitesh është bërë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Shqipërisë, duke luajtur fillimisht me atë U17 e më pas me atë U19. Me ekipin U17 ai ka luajtur ndeshjet zyrtare të eliminatoreve të Europianit në vjeshtën e vitit 2017, ndërsa me U19 ka luajtur gjatë këtij viti dy ndeshje miqësore. /vipsport.al/