Juventusi dhe Benfika në bisedime jo vetëm për Perin, në Torino mbërrin një 18-vjeçar

Juventusi dhe Benfika kanë nisur ditët e fundit bisedime të intensifikuara të cilat do të konkretizohen me kalimin e portierit Matia Perin në Lisbonë. Portieri italian do të largohet nga bardhezinjtë, pasi tashmë si numri dy është rikthyer të jetë legjenda Xhanluixhi Bufon.

Në këtë mënyrë, Perin u detyrua të kërkonte për një tjetër destinacion, ku mund të aktivizohej rregullisht. Benfika është një destinacion i preferuar nga portieri, ndërsa në rast se operacioni konkretizohet atëherë në arkën e bardhezinjve do të shkojnë 18 milionë euro. Megjithatë, kjo nuk është tratativa e vetme e cila mund të mbyllet mes dy klubeve. Juventusi është i  interesuar për mbrojtësin e majtë të portugezëve, Zhoao Ferreira.

Në fakt, ka qenë Benfika ajo që ia ka propozuar Juventusit talentin 18-vjeçar, i cili aktualisht është grumbulluar me ekipin e parë dhe këtë sezon pritej të ishte një nga zbulimet e kampionatit. Për Ferreirën ka pasur një interesim më parë edhe  nga Barcelona, megjithatë italianët tashmë janë të avantazhuar, ndërsa mbetet për t’u parë në këto dy ditë se si do të rrjedhin ngjarjet dhe nëse mbrojtësi do të përfshihet te marrëveshja për Perin.

/Egi Çabeli-VipSport.al/