Juventus firmosi me De Ligt, skuadrat e Serisë A mësyjnë drejt mbrojtësve bardhezinj

Ditën e djeshme Juventusi prezantoi zyrtarisht transferimin më të fundit në merkato, Matajs De Ligt. Mbrojtësi holandez zgjodhi bardhezinjtë, teksa në duar kishte shumë oferta nga klube si Barcelona apo PSG. Megjithatë, tashmë telenovela është mbyllur dhe 19-vjeçari është nisur me skuadrën e re drejt Singaporit, për të zhvilluar ndeshjet miqësore para fillimit të sezonit.

Por, me ardhjen e De Ligt, mbrojtja e ‘Zonjës së Vjetër’ tashmë ka fituar shumë konkurrencë, duke marrë parasysh se në skuadër janë edhe Kielini, Bonuçi, Rugani dhe mbrojtësi tjetër i afruar këtë merkato, Demiral. Ndërkohë, vetëm dy prej tyre do të luajnë titullar.

Në këtë formë, Milani pak ditë më parë provoi të niste bisedimet me Juventusin, për të transferuar njërin prej mbrojtësve Demiral dhe Rugani. Ndërkohë, edhe Roma kërkon të përfitojë nga konkurrenca te torinezët, teksa skuadra kryeqytetase preferon Ruganin. Megjithatë, për t’i shkëputur lojtarët nga Juventusi nuk do të jetë e lehtë pasi bardhezinjtë bëjnë llogaritë edhe me moshën apo dëmtimet e shpeshta të kapitenit Kielini.

/Egi Çabeli-VipSport.al/