Jo vetëm stadium modern, te Apolonia kanë edhe buxhet super për të siguruar ngjitjen!

Në Fier nuk do të kenë vetëm një stadium modern, por e kanë marrë shumë seriozisht në prag të startit për sezonin e ri. Pasi emëruan trajnerin Artan Mërgjyshi në krye të pankinës dhe po punojnë për të bërë merkato cilësore, shoqëria aksionare ka miratuar edhe buxhetin për mbarëvajtjen e edicionit 2019-2020.

Vetëm për të kapur elitën në 95-vjetorin e krijimit, presidenca në bashkëpunim me bashkinë kanë gati 500 milionë lekë (të vjetër) buxhet.

Një shumë realisht e lartë për këtë kategori, që mund të mjaftojë për të përmbushur objektivat. Sipas drejtuesve fierakë, mësohet se vetë klubi do të akordojë 300 milionë lekë, ndërsa 200 të tjera do të vijnë nga Bashkia Fier (që është zotëruese e 36.78% të aksioneve të Apolonisë).

Këto para do të shërbejnë për pagat e lojtarëve, stafit, fazë përgatitore, grumbullime apo dieta, por edhe për shpenzime të tjera operative, e sigurisht dhe merkaton duke qenë se Apolonia këtë sezon synon me patjetër që të rikthehet në elitë.

E.S./Vipsport.al/