Jo vetëm Skënderbeu, UEFA dërgon raport për trukim në ndeshjen që vendosi mbijetesën

Kur kanë kaluar vetëm pak kohë nga dita kur KAS-i vendosi të linte në fuqi dënimin për Skënderbeun, një tjetër skandal ka goditur futbollin shqiptar dhe sërish bëhet fjalë për trukim. Këtë radhë janë nënkampionët e Shqipërisë të përfshirë në këtë skandal dhe ka qenë vetë UEFA, ajo e cila ka dërguar një raport në FSHF.

Institucioni më i lartë i futbollit Europian, dyshon se ndeshja mes Kukësit dhe Kastriotit, e mbyllur me rezultatin 3-1 në favor të verilindorëve ka qenë e trukuar për të përfituar shuma të mëdha financiare në kompanitë e basteve. UEFA ka dërguar në FSHF një raport konfidencial dhe në foton e publikuar nga “Panorama Sport”, flitet qartë për një trukim të ndeshjes dhe se ishte e sigurt që Kastrioti do ta humbiste atë takim.

“Ekzistojnë prova të qarta dhe mbizotëruese të basteve se drejtimi dhe rezultati i kësaj ndeshjeje ishte përfundimisht i ndikuar me synimin për të fituar baste të korruptuara. Provat e basteve treguan se bastexhinjtë kishin njohuri paraprake për dështimin e Kastriotit për të fituar ndeshjen”, shkruhej në foton e publikuar nga raporti i UEFA-s.

Ndeshja mes Kukësit dhe Kastriotit ishte e fundit për sezonin e shkuar në Superiore, aty ku Kastrioti e shihte veten në avantazh dhe duke shpresuar që Tirana të mundej nga Flamurtari. Me fitoren e Tiranës në kryeqytet, Kukësi arriti të përmbyste takimin në minutat e fundit falë golit të Shkurtajt dhe dygolëshit të shënuar nga Rexhinaldo.

Në fakt, kjo ndeshje kishte polemika që atë kohë, por flitej vetëm për tolerime dhe aleanca, pasi me dy golat e shënuar, Rexhinaldo u shpall golashënuesi më i mirë në superiore. Mesa duket, përmasat janë gjigande dhe tashmë nuk kemi të bëjmë më me një ndeshje të toleruar por të trukuar dhe pritet të merren masa dhe hetime të mëtejshme pasi FSHF e ka marrë raportin vetëm 24 orë pas ndeshjes. /VipSport.al/

ndeshja