Jo vetëm Radasin, Tirana synon edhe një tjetër futbollist të Skënderbeut

Tirana ka qenë ndër skuadrat më aktive në këtë merkato vere, duke afruar futbollistë si Batha, Torasa, Kale, Dunga apo Osmani ndërkohë që merkatoja duket se nuk është mbyllur për ta. Mbrojtësi Marko Radas është tashmë një prioritet për skuadrën e Memës dhe me afrimin e tij, synohet të blindohet reparti i mbrojtjes, repart n të cilin Tirana ka hasur vështirësi vitet e fundit.

Sakaq, bardheblutë synojnë një tjetër futbollist nga Skënderbeu dhe tashmë kanë hedhur sytë nga Bruno Dita. Mesfushori i cili këtë sezon bëri paraqitje të mira në Korçë, po shihet me kujdes nga bardheblutë që synojnë ta kenë në skuadër për sezonin e ardhshëm.

Te Tirana janë të bindur se nuk është aspak një operacion i lehtë duke qenë se Dita është ende nën kontratë me Skënderbeun dhe klubi korçar, pas dënimit që mori nga KAS-i, pritet të vazhdojë garën në Superiore për të treguar vlerat, vetëm në kampionat. /Erjon Allaraj-VipSport.al/