Ja synimet e Bylisit në merkaton e verës, vëmendja e madhe edhe te moshat

Bylisi nisi sot javën e dytë të fazës përgatitore. Ballshiotët kanë lëvizur në merkato dhe ka pasur shumë “hyrje-dalje”. Skuadra ka marrë në testim disa lojtarë të huaj, por që brenda kësaj jave do të vendoset edhe për ta, nëse do të jenë pjesë e skuadrës apo jo.

Merkato

Ndërkohë që sa i përket merkatos, Bylisi pritet që këtë javë të bëjë 2-3 zyrtarizime. Një portier dhe një mbrojtës synohen që të afrohen sa më shpejt në Ballsh dhe bëhet fjalë për lojtarë cilësorë. Për këto dy pika nevralgjike klubi po shikon në ekipe të njohura të Superiores, por edhe jashtë vendit. Ndërkohë, pritet që këto dy ditë të vendoset edhe për Ardit Peposhin, një nga titullarët e sezonit të shkuar.

Akademia

Një vit më parë u rikonstruktua totalisht aneksi në qendër të qytetit dhe u kthye në një kompleks modern. Sot ai ka pamjen e një mini-stadiumi, ndërsa në të stërvitet skuadra e parë, ku zhvillon edhe miqësore, por luajnë edhe të gjitha ekipet e moshave. Sezonin e shkuar, te Bylisi morën pjesë në garat zyrtare nga U-9 deri në U-19 plot 6 ekipe në kampionatet respektive. Për këtë sezon, presidenca bashkë edhe me klubin kanë menduar që të bëjnë një riorganizim të gjithë strukturës së moshave, që nga trajnerët, e madje pritet që edhe të shtohen skuadrat në Akademinë “Bylis”. Ndryshe nga vjet, kur e rëndësishme ishte pjesëmarrja në garë, këtë sezon ekipet e moshave do të kenë synime, sidomos U-17 dhe U-19.

E.S./Vipsport.al/