Ish-sulmuesi i Skënderbeut largohet nga Gabala, përfundon në Izrael

Ish-sulmuesi i Skënderbeut, Xhejms Adenji është transferuar në Izrael. Futbollisti ishte pjesë e Gabalës këto dy sezonet e fundit teksa u transferua pikërisht nga korçarët. Megjithatë, tashmë Adenji përgatitet të nisë një aventurë të re në kampionatin izraelit me skuadrën e Ironi Kiriat Shmona.

Në fakt, Xhejms, i cili në të kaluarën është aktivizuar edhe me Bylisin, Tomorin dhe Laçin, është transferuar në Izrael me formulën e huazimit teksa kartonin e tij do të vazhdojë ta disponojë klubi i Gabalës, të cilët nga huazimi kanë përfituar shumën e 100 mijë eurove. Sulmuesi ishte autori i një sezoni të mirë me skuadrën azerbajxhanase, megjithatë në fund 26-vjeçari u transferua te Ironi Kiriat Shmona.

Në sezonin e kaluar klubi i ri i Xhejms e mbylli kampionatin në grupin e skuadrave që diskutuan mbijetesën, megjithatë në fund arriti të shpëtonte rënies një kategori më poshtë. Tashmë, me afrimin e Xhejms klubi ka një armë më shumë në kampionat.

/Egi Çabeli-VipSport.al/