Interi sfidon Mançester Junajtid në miqësore, Solskjaer merr vendimin për Lukakun

Interi vazhdon përpjekjet për të transferuar në ‘San Siro’ sulmuesin Romelu Lukaku. Belgu është numri një në listën e dëshirave të trajnerit Antonio Konte dhe drejtori Marota po bën të pamundurën për ta kënaqë teknikun e ri. Sakaq, Interi dhe Mançester Junajtid do të përballen ditën e nesërme në një nga miqësoret e shumta të para sezonit.

Një takim, i cili mund të shërbejë për të diskutuar sërish mbi temën Lukaku. Marrëveshja ka mbetur te ana financiare, teksa ‘Djajtë e Kuq’ kërkojnë 80 milionë euro, një shifër e lartë për italianët, megjithatë bisedimet vazhdojnë.

Ndërkohë, trajneri Solskjaer ka vendosur të mos e grumbullojë lojtarin, me arsyetimin se është jashtë forme, duke mohuar se kjo zgjedhje ishte për efekt të merkatos. Megjithatë, ky mund të jetë një sinjal në favor të zikaltërve, teksa Lukaku e ka treguar haptazi se preferon të largohet nga Anglia dhe të transferohet te Interi.

/Egi Çabeli-VipSport.al/