Interi fokusohet te Xheko, Marota rrit ofertën për Romën

Klubi i Interit prej fillimit të merkatos është vënë në ndjekje të sulmuesve. Pas sherreve të sezonit të kaluar mes Ikardit dhe klubit, argjentinasi do të marrë valixhet dhe do të largohet nga Milano. Kështu, trajneri Konte dhe drejtori sportiv Marota kanë përcaktuar zëvendësuesit, të cilët do të jenë dy. Të preferuarit janë Lukaku dhe Edin Xheko.

Edhe pse, fillimisht dukej se Interi shihte si objektiv parësor sulmuesin e Mançester Junajtid, së fundmi situata duket se ka ndryshuar. Kjo për shkak se klubi anglez nuk ndërmend të ulë pretendimet prej 75 milionë eurove për belgun. Në këtë formë, tratativa ka mbetur në vendnumëro, teksa do të mund të rifillojë pasi të sigurohen paratë nga shitja e Ikardit.

Ndërkaq, tashmë vëmendja ka kaluar te Edin Xheko. Klubi i Romës për sulmuesin kërkon të paktën 20 milionë euro, megjithatë palët mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për një shumë të mesme. Pasi, Interi ka rritur ofertën për boshnjakun. Zikaltërit në ofertën e parë kishin ofruar 10 milionë euro, ndërsa tashmë oferta ka prekur 12 milionë euro dhe palët mund të shkojnë drejt marrëveshjes.

/Egi Çabeli-VipSport.al/