Ibra ‘thumbon’ kampionatin amerikan: Këtu jam si Ferrari mes makinave Fiat

Nuk mund të konsiderohen më surprizë deklaratat e Zllatan Ibrahimoviç. Sulmuesi na ka mësuar gjatë karrierës me shprehjet e tij, apo thumbimet ndaj rivalëve, ndërsa në disa deklarata është vënë re qartë se suedezi nuk e njeh modestinë.

Këtë herë, bëma e fundit e Ibrës ishte një ngacmim ndaj kampionatit amerikan, MLS, aty ku 37-vjeçari aktivizohet me skuadrën e Los Anxhelos Galaksi. Ibrahimoviç është shprehur se në Amerikë ndihet si një Ferrari mes makinave Fiat, teksa shtoi se MLS nuk është në nivelin e Europës. “ Për të thënë të vërtetën, MLS nuk është në nivelin e Europës. Më parë luaja me futbollistë të nivelit tim, apo afër nivelit tim. Kjo bën që në fushë të lidheshim më mirë. Këtu, jam si një Ferrari mes makinave Fiat.

Dhe mund të ndodhë që Ferrari të kthehet në Fiat, ose Fiati të kthehet në Ferrari. Kisha thuajse të njëjtin problem edhe me Suedinë, edhe pse jo kaq shumë diferenca. Nuk mund ta pranoj kur topi nuk mbërrin te unë, apo vjen shumë vonë. Unë dua që shokët e skuadrës të vinë në nivelin tim.  Por, kjo më ngadalëson dhe mua. Futbolli këtu në Amerikë mund të jetë shumë më i shpejtë, më shumë taktik”, u shpreh Ibrahimoviç.

/Egi Çabeli-VipSport.al/