I shënoi dy gola Kukësit, Varga: Me fat, kanë lojtarë të shkëlqyer e mund të shkonte ndryshe

Ndeshja e djeshme e Kukësit ndaj Debrecen kishte një protagonist absolut në radhët e skuadrës vendase, Kevin Varga, i cili me dy golat e tij në pjesën e dytë çoi rezultatin në 3-0 dhe bëri thuajse të sigurt kalimin e hungarezëve në turin tjetër të Ligës së Europës në dëm të ekipit shqiptar. Megjtihatë, mesfushori e pranon se rezultati 3-0 nuk tregon qartësisht atë që kishte ndodhur në fushë dhe për mediat vendase shpjegoi se nuk kishte qenë aq e lehtë.

“Gjëja më e rëndësishme ishte të fitonim për të qenë më të qetë për javën e ardhshme. Duhej të fitonim dhe të mos pësonim gol pasi ata në fushë kundërshtare kanë shumë rëndësi. Në pjesën e parë ishim nën ritëm, ndoshta duhej të përshtateshim me lojën në arenën ndërkombëtare. Kukësi ka lojtarë të shkëlqyer dhe në 45 minutat e para goditën në portë dhe gjuajtën shtyllën, nëse topi do të kishte përfunduar brenda, rrjedha e ndeshjes mund të kishte qenë tërësisht ndryshe.

Kishim edhe pak fat me vete, por pastaj rregulluam gjërat në pushim e dinim si duhej luajtur dhe e nisëm më mbrojtjen e lartë. Mendoj se kjo prishi lojën e tyre, ndërsa besoj se ishim edhe fizikisht më mirë se shqiptarët. Kjo të lodh edhe mendërisht ndaj ne shënuam 3 gola ndaj tyre”, theksoi Varga.

“Goli i parë ishte nga një kundërsulm klasik, shkuam shumë shpejt në zonë dhe gjeta rrjetën pas një aksioni të pastër. Para golit të dytë, mora topin nga e djathta, e pashë që porta ishte e mbuluar, u mundova ta kaloja topin sa më afër mbrojtësit dhe funksionoi”, shpjegoi futbollist si kishte arritur të trondiste dy herë portën e Kukësit. “Para ndeshjes kishim parë shumë video të Kukësit dhe e dinim që fituesit e Kupës së Shqipërisë kanë një ekip të fortë. Kjo u pa në pjesën e parë të ndeshjes, ndaj mendoj se suksesi ishte shumë i vlefshëm”, deklaroi Varga. /vipsport.al/