I doli emri në Superiore, mesfushori prish kontratën në Zvicër

Merkatoja e verës ka qenë aktive për shumë futbollistë shqiptarë, të cilët kanë ndryshuar skuadrat e tyre, ose edhe do t’i ndryshojnë me kalimin e ditëve. Gjelbrim Taipi ka qenë lojtari i radhës që ka vendosur të bëjë lëvizje, duke u larguar nga Grasshopersi, duke qenë se ish-skuadra e tij tashmë do të luajë në Ligën e Dytë zvicerane.

Grasshopersi kaloi këtë vit një sezon të vështirë, duke rënë edhe nga kategoria. Sikur të mos mjaftonin vështirësitë në fushën e blertë, Grasshopersi po përballej edhe me revoltat e tifozëve të cilët disa herë vërshuan në fushë kundër ekipit të tyre. I interesuar për shërbimet e Taipit, ka qenë edhe Kukësi pak javë më parë dhe duket se me prishjen e kontratës, gjithçka mund të bëhet më e lehtë tashmë për të hyrë në bisedime.

“Dua të falënderoj të gjithë te Grasshopersi dhe të gjithë tifozët. Ishte një vit shumë i ngarkuar dhe nga ku kam mësuar shumë. Jam i sigurt se skuadra do të rikthehet më e fortë se më parë. Faleminderit”, shkruante mesfushori Taipi në falënderimin e tij për skuadrën. /Erjon Allaraj-VipSport.al/