I bindur për dënimin e Skënderbeut, Muça: UEFA nuk toleron, ne na thanë që kanë njerëz kudo

Shkëlqim Muça, trajner i njohur i cilin të kaluarën ka drejtuar edhe ekipin e Skënderbeut, ka qenë gjithmonë i bindur që në fund korçarët do të dënoheshin. Në “Rubrika Sportive” shpjegoi pse kishet pasur gjithmonë këtë bindje.

“Pavarësisht se na vjen keq të gjithëve se ka qenë një skuadër në elitë ato vite, ka qenë kthesë e tillë, nuk na vjen mirë. Por kam qenë i bindur se ata nuk tolerojnë. Këto dy vite gjatë kohës në KAS, ka pas shumë aludime se do dalin të pafajshëm e do kthehet vendimi. Por kam qenë i bindur që UEFA është futur aq thellë si problem e me kohështrirje. Duke parë dinamikat e si ka vepruar UEFA, ka sjellë dosje në prokurori, i ka bërë punët e veta, është institucion serioz dhe ka dashur që procedurat të jenë perfekte të mos goditen në KAS.

Ishte vendim drastik dhe për të bërë shembull një skuadër. Kur kam shkuar në një seminar në UEFA, kemi bërë leksion 2 orë me oficerë integriteti për trukimet, ku na thanë qartë që lufta pas dopingut është ajo me trukimet. Na thanë mos u përzieni, se ky është profesion, po patë gjë lajmëroni. Në çdo shtet ne kemi njerëzit tonë, në çdo vend .

Të vjen keq se në vitet e fundit u bë skuadër shumë simpatike. Kjo duhet të bëhet mësim, gjërat që ndodhin për keq duhen bërë mësim për federatën e opinionin që këto fenomen na çojnë në degradim të këtij lloj sporti, duhen rritur masat në këtë drejtim. Duhet hetim brenda. Ndoshta na duhet një pauzë 4-5 vjecare për të filluar gjërat nga e para”, tha Muça. /vipsport.al/