Higuain shënon në miqësore, ish-sulmuesi i Italisë ankohet: Ai është festimi im

Gonzalo Higuain ishte një nga protagonistët e miqësores së sotme mes Juventusit dhe Totenhemit që u luajt në Singapor. Sulmuesi që të gjithë e cilësojnë të larguar nga Juventusi, u kthye të shënonte dhe dukej shumë i gëzuar për një gjë të tillë, duke e festuar me lojtarët e tjerë.

Këtë radhë, festimi i tij i golit ishte pak më ndryshe, duke rrotulluar dorën pranë veshit, një gjest që kujtonte shumë një golashënues tjetër race, italianin Luka Toni. Ky lloj festimi u bë i njohur pikërisht nga lojtari i cili në karrierën e tij shënoi thuajse 300 gola në skuadra nga më të njohurat në Itali, por edhe me Bajern Mynih në Gjermani.

Kur një faqe në Instagram publikoi foton e Higuain duke festuar, me komentin “Kush është Ronaldo?”, Toni ishte ndër ata që komentuan. “Po çfarë Ronaldo? Ai është festimi im?”, ishte batuta me humor e ish-sulmeusit italian në adresë të Higuain. /vipsport.al/