Hazard nuk harron Çelsin, gjesti që kujton blutë e Londrës

Eden Hazard është deri më këto momente transferimi më i madh i kësaj merkatoje verore. Belgu prej kohësh ëndërronte të vishte fanellën e bardhë dhe tashmë më në fund do të luajë në stadiumin ‘Santiago Bernabeu’.

Mirëpo, sulmuesi kurrsesi nuk mund të hedhë poshtë 7 vitet e kaluar te Çelsi. Lojtari ishte shumë i lidhur me blutë e Londrës, ndërsa këtë e ka provuar edhe në këto ditë, teksa është pjesë e Real Madrid. Kështu, në grumbullimin e skuadrës në Kanada, nuk ka shpëtuar pa u vënë re një detaj në kasën mbrojtëse të telefonit të Hazard.

Sulmuesi ruante ende foton e tre djemve të cilët ishin të veshur me bluzën e Çelsit. Një foto e cila ka treguar se ende ruan kujtime të bukura në aventura në Angli dhe se pavarësisht se u largua për të ndjekur ëndrrën e tij, Çelsi ka një vend special në karrierën e Hazard, pasi ishin pikërisht blutë që e promovuan pas transferimit nga Lilë.