Grizman fut në borxhe Barcelonën, transferimi i Nejmar bëhet i pamundur

Ditën e djeshme, Barcelona prezantoi për fansat katalanas transferimin më të fundit në skuadër Antuan Grizman. Sulmuesi ishte kthyer në një objektiv prej kohësh, ndërsa edhe para dy viteve katalanasit tentuan ta afronin nga Atletiko Madrid.

Megjithatë, tashmë francezi është një lojtar i Barcelonës, ndërsa konsiderohet një armë më shumë për të tentuar triumfin europian në sezonin e ardhshëm. Mirëpo, për të siguruar shërbimet e Grizman, blaugranave iu desh të shpenzonin një shifër prej 120 milionë euro, e cila ishte edhe klauzola e sulmuesit. Ndërkohë, një pjesë e këtyre parave, siç deklaroi edhe presidenti Bartomeu, janë siguruar nëpërmjet një kredie gjashtëmujore.

Në këtë formë, vështirësohet ndjeshëm edhe transferimi i Nejmar në Camp Nou. Braziliani ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer në Spanjë, megjithatë tashmë situata është komplikuar pasi katalanasit duhet të shikojnë fillimisht gjendjen financiare.

/Egi Çabeli-VipSport.al/