Godin shton konkurrencën në skuadër, mbrojtësi përgatit valixhet për në Kinë

Interi i këtij sezoni nisi me një transferim të bujshëm në mbrojtje si ai Diego Godin. Uruguajani është i gatshëm të vejë në dispozicion të gjithë eksperiencën e tij në repartin defensiv të zikaltërve, i cili në sezonet e fundit ka vuajtur jo pak. Megjithatë, afrimi i 34-vjeçarit, ka shtyrë ish-shokun e tij të mbrojtjes te Atletiko, Mirandën të mendojë për një tjetër eksperiencë.

Me transferimin e Godin, mbrojtja e Interit është shumë e ngjeshur duke llogaritur edhe prezencën e Milan Shkriniar dhe Stefan De Vraj. Në këtë formë, Miranda është më i rrezikuari për të mbetur jashtë formacioni, teksa edhe në sezonin e fundit nuk u aktivizua rregullisht. Kështu, 34-vjeçari po mendon të provojë një aventurë në Kinë, ndërsa është e interesuar skuadra e Xhiangsu, e cila i përket kompanisë Suning.

Mbrojtësi brazilian duket se është dakord për transferimin në kontinentin aziatik, megjithatë për momentin nuk ka akord pasi Miranda dhe klubi nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët në aspektin financiar. Por, shanset që transferimi të mbyllet me sukses janë të larta.

/Egi Çabeli-VipSport.al/